Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar nis zyrtarisht sot në Pejë, duke e shndërruar qytetin në një pikë takimi për artin, animacionin dhe kreativitetin nga data 12 deri më 18 korrik.
Për shtatë ditë me radhë, publiku do të ketë mundësi të ndjekë një program të pasur me filma të animuar, ekspozita, punëtori, diskutime dhe muzikë live, duke sjellë në Kosovë artistë, regjisorë dhe dashamirës të animacionit nga e gjithë bota.
Ceremonia e hapjes do të moderohet nga Hana Blakqorri, e njohur si Hana e Chart, ndërsa mbrëmja e parë do të sjellë edhe shfaqjen e tre filmave të përzgjedhur.
Një nga ekspozitat kryesore të festivalit është “Postera për Palestinën”, e cila do të hapet në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Ekspozita bashkon punime nga artistë ndërkombëtarë si një thirrje për drejtësi dhe solidaritet, ndërsa fondet nga shitja e posterave do t’u dedikohen artistëve që punojnë në rrethana të vështira në Palestinë.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohen edhe biseda me krijues filmash përmes programit “Kafe, raki dhe biseda: me krijuesit e filmave”, ku publiku do të ketë mundësi të njihet më afër me proceset krijuese pas animacionit.
Këtë vit, Anibar sjell një program të veçantë nga SWISS FILMS, me një përzgjedhje të filmave të shkurtër të animuar bashkëkohorë zviceranë, si dhe programin Helium Films, i cili prezanton mbi dy dekada krijimtari të kompanisë zvicerane të animacionit të themeluar nga Claude Barras dhe Cédric Louis.
Edicioni i sivjetmë sjell edhe tre filma të metrazhit të gjatë, përfshirë “Arco”, “Wanted 18” dhe “Savages”, duke prezantuar larminë dhe zhvillimet më të fundit të kinemasë së animuar.
Përveç filmave, festivali ofron edhe punëtori për kritikë filmi dhe krijimtari praktike, ndërsa mbrëmjet do të vazhdojnë me After Parties, ku skena muzikore do të dominohet nga artistë vendas.
Programi muzikor i këtij viti përfshin emra të njohur të skenës kosovare, si Gillespie, Uran B, Era M, Florent V, P.I.N.T me MC Kreshën dhe Lyrical Son, si dhe artistët nga Peja Nart K dhe Darin K.
Anibar edhe këtë vit mbetet një hapësirë ku animacioni lidhet me komunitetin, duke sjellë histori jo vetëm në ekran, por edhe përmes diskutimeve, bashkëpunimeve dhe përvojave të përbashkëta.
Programin e plotë të festivalit dhe përditësimet mund t’i ndiqni në uebfaqen dhe rrjetet sociale zyrtare të Anibar./A.K/
