FIFA po shqyrton mundësinë që edicioni i ardhshëm i FIFA Club World Cup të zhvillohet gjatë dimrit, një ndryshim që shkakton trazira në kalendarin e kampionateve europiane.
Katari, vendi që organizoi Kupën e Botës në 2022, ka shprehur interesin për të qenë nikoqiri i radhës së këtij turneu të zgjeruar, pas edicionit të parë këtë verë në SHBA. Për shkak të temperaturave gjatë verës në Katar, turneu duhet të mbahet në dhjetor, siç ndodhi edhe me Kupën e Botës në 2022.
Sipas raportimeve të The Guardian, përfaqësues të Katarit kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët më të lartë të FIFA-s në SHBA për një mundësi ndryshimi të vendit të organizimit. Katar synon të organizojë këtë turne në dhjetor 2029.
Ky plan po ndeshet me kundërshtime të forta nga ligat evropiane, përfshirë Premier League, që paralajmërojnë ndërprerje të rëndësishme në sezon. Në 2022, zhvendosja e Kupës së Botës në dimër kishte detyruar ndalimin e kampionateve për më shumë se një muaj, një përvojë që ligat dëshirojnë ta shmangin.
Katar ofron ofertë të fortë duke pretenduar se mund të organizojë një Club World Cup me zero emetime karboni. Stadiumet e ndërtuara për Kupën e Botës janë ende të gatshme, gjë që do të ulë kostot dhe do të minimizojë udhëtimet për tifozët. Lojtarët janë ankuar për kushtet e motit gjatë turneut të fundit, me disa ndeshje të pezulluara për shkak të bubullimave e stuhive të verës në SHBA, përfshirë edhe ndeshjen Chelsea-Benfica që u ndërpre për dy orë.
Sindikatat e lojtarëve, si FifPro, kanë shprehur shqetësime për sigurinë e mirëqenien e sportistëve, ekspertët paralajmërojnë se situata e motit pritet të jetë sfiduese edhe në Kupën e Botës 2026 që zhvillohet në SHBA, Meksikë e Kanada.
Edhe Kupa e Botës 2034 në Arabinë Saudite të zhvendoset në dimër për shkak të kushteve klimatike.