Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar këtë të premte drejt Spanjës për të marrë pjesë në samitin “Në Mbrojtje të Demokracisë” që po mbahet në Barcelonë.
Me ftesë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, Rama do t’i bashkohet liderëve evropianë për të diskutuar mbi rreziqet që i kanosen institucioneve demokratike nga dezinformimi dhe ndikimi i shpejtë i teknologjisë.
Përveç tryezës kryesore të samitit, ku do të kërkohet një bashkëpunim më i fortë ndërkombëtar për rregullimin e hapësirës digjitale, Rama do të zhvillojë takime të rëndësishme dypalëshe.
Ai do të pritet nga homologu Sánchez dhe do të zhvillojë një bisedë me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Kjo vizitë në Spanjë pason ndalesën e tij në Itali, ku pas takimit me kryeministren Giorgia Meloni u rikonfirmua vullneti për thellimin e bashkëpunimit në menaxhimin e emigracionit dhe mbrojtjen.
Vizita në Romë shërbeu si një moment bilanci gjashtë muaj pas nënshkrimit të 16 marrëveshjeve strategjike mes dy vendeve në fusha si siguria dhe infrastruktura.
