Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta së fundi ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin “RAC1” ku ka folur gjerë e gjatë për punën që po bëhet në klubin spanjoll, me fokusin më të madh te përforcimet që ka nevojë skuadra, por edhe rinovimet e kontratave me lojtarët aktual, duke mos harruar edhe mundësinë e rikthimit të Lionel Messit.
Duke filluar nga spekulimet për rikthimin e Messit në “Camp Nou”, Laporta bëri të ditur se kjo nuk është në planet e tij dhe se nga lojtari nuk ka pranuar mesazhe për një ide të tillë.
“Në të vërtetë unë nuk kam pranuar mesazhe nga Messi apo agjenti i tij në lidhje me një rikthim të mundshëm. E vërteta është që ne nuk jemi duke e konsideruar këtë mundësi”, ka thënë Laporta.
Më tutje i pari i klubit katalanas ka thënë se në kushtet aktuale klubi e ka të pamundur të mendojë për transferimin e dyshes Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.
“Ne nuk do të mund të shpenzojmë shifra të tilla. I shoh që të dy shumë larg nënshkrimeve me Barcelonën”, theksoi ai, derisa shtoi se klubi tashmë ka nënshkruar me dy lojtarë.
“Ne kemi kompletuar dy nënshkrime për sezonin e ardhshëm. Njëri është mesfushor dhe tjetër qendërmbrojtës, por nuk mund t’i them emrat”, tha Laporta.
Presidenti i Barçës po ashtu foli edhe për mundësinë e transferimit të Lewandowskit dhe Salah si dhe pranoi se i pëlqen shumë ylli i Atletico Madridit, Joao Felix.
“Lojtar të nivelit të lartë dëshirojnë t’i bashkohen Barcelonës, kjo është shumë e qartë. Por unë nuk mund të them nëse jemi në negociata me Lewandowski e Salahun apo jo. Unë vërtetë e pëlqej Joao Felixin. Është kënaqësi ta shohësh atë duke luajtur futboll. Vitin e kaluar ne ishim në negociata me Atleticon për shkëmbimin Felix-Griezmann, por në fund dështoi”, ka zbuluar Laporta.
Në vazhdim Laporta bëri të ditur se janë duke punuar në rinovimin e kontratave të Araujos dhe Gavit.
“Negociata për kontratat e reja të Araujos dhe Gavit janë duke shkuar shumë mirë. Ata duan të vazhdojnë këtu në Barcelonë, por ne kemi disa limite që duhet respektuar sa i përket pagave”, tha në fund ai.