UBT News

Nga Prishtina në Oslo: Ekspozita që nderon të mbijetuarat e dhunës seksuale shfaqet para Qendrës Nobel

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, ka mirëpritur instalacionin e fuqishëm artistik “Thinking of You” (Mendoj për ty) të artistes shqiptare Alketa Xhafa Mripa.

Ky projekt artistik, i cili fillimisht u krijua për të nderuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), tashmë është shndërruar në një simbol global solidariteti. Përmes fustaneve të dhuruara nga të mbijetuarit dhe mbështetësit nga më shumë se 20 vende të botës, instalacioni e transformon veshjen e përditshme në një shprehje kolektive të kujtesës, qëndresës dhe përkrahjes.

Qindra veshje të varura tani rrethojnë Qendrën Nobel për Paqe dhe shtrihen përgjatë rrugës së njohur “Torggata”, duke nxitur reflektim dhe dialog në mesin e vizitorëve të shumtë.

Në ceremoninë e përurimit, fjalë rasti mbajtën drejtoresha e Qendrës Nobel për Paqe, Kjersti Fløgstad, artistja Alketa Xhafa Mripa, si dhe drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

Kjo ekspozitë u prezantua nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Norvegji, në partneritet me organizatat “Norges Kvinne Lobby”, “Mental Health and Human Rights Info”, Qendrën Nobel për Paqe dhe Ambasadën Britanike në Norvegji.

Realizimi i projektit u mundësua me përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, kompanisë ARCON dhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Norvegji. /E.A/

Exit mobile version