Pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ishte njëri nga synimet më të mëdha të boksieres Donjeta Sadiku dhe arritja e këtij qëllimi kaq madhor nuk ishte aspak i lehtë. Trajnerja e Sadikut, Marjola Sallauka, e cila ka folur për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar Sadiku për t’u kualifikuar në olimpiadë.
Ajo thotë se përkundër luftërave të vështira që e prisnin rrugës, ishte e bindur se Sadiku do të kualifikohej për në Lojërat Olimpike.
“Kualifikimi në fund ka qenë qershia mbi tortë sepse kualifikimi ka qenë një ndër garat më të vështira që e kemi pasur. Kampionati Botëror, Kampionati Evropian i ka vështirësitë e veta, mirëpo kualifikimet që janë mbajtur në Itali kanë qenë sfidë në vete. Ka qenë shumë e përgatitur, në formë shumë të mirë, i ka zhvilluar katër meçe në përgjithësi me kundërshtaret më të forta që i ka pasur në kategori. Do ta veçoja meçin me italian që ka qenë meçi vendimtar që Donjeta të kualifikohet për në Paris. Sfidë e madhe ka qenë për shkak se kualifikimet janë mbajtur në Itali dhe meçi vendimtar ka qenë me një italiane dhe dihet që vendase kur je ke përparësi, por nuk kam dyshuar që me Donjetën do ta arrijmë këtë kualifikim. E kam parë në mendjen e Donjetës, në atë që ajo ka besuar…Ne si trajnerë e ndjejmë, e dimë dhe i kuptojmë boksierët, kështu që e kam ditur sigurt që Donjeta është e pandalshme në atë kualifikim”, tha fillimisht Sallauka.
Medaljet e shumta evropiane e botërore, por edhe kualifikimi në olimpiadë, Sallauka tregon që u arritën fal një pune e përkushtimi të rrallë të Donjetës në stërvitje, aty ku në disa raste ka edhe temperament më të lartë se sa që duhet.
“Sfida me Donjetën nuk kam, në trajnim sidomos, nuk ndodh asnjëherë. Donjeta beson shumë në punën time dhe çfarë do që them ajo i përmbahet atyre këshillave. Ndoshta nervoza e saj e vetme në sallë është kur i shpjegoj diçka dhe nuk mund ta bëjë menjëherë, kështu që ajo bëhet nervoz me vetveten pse nuk po mund ta bëjë dhe kjo më pëlqen shumë tek Donjeta sepse nuk ndalet derisa t’i përmirëson ato. Do të thotë nervoza e saj e vetme dhe përballja jonë e vetme është kjo që bëhet nervoz kur nuk mund të bëjë diçka menjëherë”, thotë Sallauka.
Përkundër pritjeve më të mëdha, në Paris nuk u arritën synimet e boksieres për të rrëmbyer medalje, por Sallauka thotë se nuk ka vend për dëshpërim.
“Kemi besuar shumë në medalje sepse e di çfarë punë ka bërë Donjeta, mirëpo jo gjithmonë gjerat shkojnë ashtu siç ne presim. Unë nuk jam e dëshpëruar me atë çfarë ka ndodhur, edhe pse Donjeta nuk arriti të marr medalje, Donjeta është e re, unë besoj shumë që edhe dy olimpiada Donjeta mund t’i zë dhe atë në formën më të mirë të mundshme…Në olimpiadën e ardhshme do të jetë edhe më e kompletuar dhe besoj shumë në suksesin e saj”, theksoi Sallauka.
Më tutje, Sallauka sqaron në detaje edhe videon e bërë virale ku ajo shihet duke e motivuar Sadikun në luftën e parë të saj në ring në Paris.
“Emocionet e trajnerëve është vështirë të shpjegohen me fjalë. Kjo video virale nuk e di edhe pse u bë virale sepse ajo që kam qenë në atë video jam edhe ndoshta në shumë meçe tjera, nuk po them në të gjitha, por vjen një moment kur sportistin tënd duhet ta motivosh më shumë edhe me fjalë. Kundërshtaren që e ka pasur ka qenë një ndër kundërshtaret më të forta, ajo njihet për forcë si më e fuqishmja ne të gjithë kategorinë 60 kilogramë…Me Donjetën e kam një komunikim shumë të mirë në ring, si do që të ndihet ajo, lodhjen më të vogël, lëndimin më të vogël mua më duhet ta di dhe ndoshta ka marr bujë kjo video me këshillat e mia sepse mua më pyesin shumë çfarë doje të thoje ‘mos e shtyj, por shtyje duke punuar’, dhe shumë njerëzve kur ua shpjegoj çfarë kam dashur të them me atë, e kuptojnë se ka qenë një keqkuptim. Unë i kam thënë ‘mos e shtyj me duar’ sepse nuk është e lejueshme në sport të shtyhet pa goditje, kështu që i kam thënë ‘mos e shtyj me duar, por shtyje duke punuar”, tregon Sallauka.
Por, humbja në luftën e dytë dhe mbetja pa medalje, Sallauka thotë se e “theu shpirtërisht” Donjetën.
“Nuk ka qenë dita e saj, mund të them se nuk ishte as 50 përqindshi i Donjetës që është në të vërtetë. Ka qenë një dëshpërim shumë i madh sepse e ka pritur fitoren, e kuptoj shumë mirë dëshpërimin e saj, e kuptoj atë reagim të saj që nuk ka dashur as të ekspozohet, ka qenë e thyer për disa ditë, mirëpo unë e di dhe e kuptoj që në ta ardhmen Donjeta do të jetë shumë më ndryshe dhe shumë më e fortë sepse çdo dëshpërim që e ka pasur Donjeta në karrierën e saj e ka kthyer në forcë, kështu që ndonjëherë edhe dëshpërimet janë të mira sepse mund të jenë motiv shtesë për të ardhmen”, thotë Sallauka.
Trajnerja shtoi në fund se puna për të fituar medalje evropiane e botërore nga Donjeta tashmë veç se ka nisur, derisa synimi për medalje olimpike mbetet pika kryesore e karrierës së saj.