UBT News

Nga Kosova në Hannover, Jehona Kicaj rrëmben çmimin letrar “HANNA 2025”

Shkrimtarja me origjinë nga Kosova, Jehona Kicaj, po korr suksese të jashtëzakonshme në skenën letrare gjermane.

Pas përfshirjes në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025 me romanin e saj debutues “ë”, ajo është shpallur fituese e Çmimit Letrar të Qytetit të Hannoverit “HANNA” për vitin 2025.

Romani “ë” sjell historinë e një familjeje që u detyrua të largohej nga Kosova gjatë luftës, përmes perspektivës së një fëmije, duke krijuar një rrëfim të ndjeshëm, të sinqertë dhe thellësisht njerëzor.

Jehona erdhi në Gjermani në moshën njëvjeçare, ka ndërtuar jetën në Göttingen më pas në Hannover, qytet ku filloi studimet më 2011 dhe ku vazhdon të jetojë.

Pas marrjes së çmimit, Jehona Kicaj nënshkroi Librin e Artë të qytetit të Hannoverit, duke theksuar lidhjen e saj të fortë me këtë vend:

“Hannover është qyteti që më çoi drejt letërsisë, më mprehu mendimin dhe më hapi rrugën e shkrimit.”

Ajo u shpreh se ky vlerësim ka qenë një përvojë e çlirueshme:

“Në Göttingen, njihja çdo gur. Hanoveri është më metropolitan, më plot kulturë. Këtu ende mund të zbuloj gjëra të reja.”

Jehona po shndërrohet me shpejtësi në një zë të ri të rëndësishëm të letërsisë gjermane, duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe rrënjët kulturore mund të krijojnë histori suksesi që tejkalojnë kufijtë.

Romanin e saj të parë, kritika e ka pritur me entuziazëm, duke e konsideruar një debutim mbresëlënës dhe premtues.

Krijimtaria e saj po i jep letërsisë gjermane një perspektivë të re, ndërsa për komunitetin shqiptar, ajo përfaqëson një shembull frymëzues të arritjes në skenën ndërkombëtare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version