Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.
KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/
