UBT News

Nexhmije Pagarusha, ylli i pashuar i muzikës shqiptare

Vepra e papërsëritshme shqiptare “Baresha” e kënduar nga bilbili i Kosovës – Nexhmije Pagarusha mbetet një ndër këngët që simbolizon bukurinë e trojeve shqiptare midis peisazheve kolorite dhe frymëzimin e bukurisë femërore.

Me një tekst të jashtëzakonshëm dhe interpretim të bukur, “Baresha” është një ndër kryeveprat që e karakterizon një ndër zërat më të bukur shqiptar, Nexhmije Pagarusha. E lindur në Pagarushë afër Malishevës, ajo vijoi shkollimin në vendlindje duke vazhduar mëtej në Beograd në shkollën e muzikës. Fillet në karrierën e saj muzikore i mori në Radio Prishtina në vitin 1948.

Në vitin 1963, publikoi albumin e parë “Po vijnë kruqshit”, tri vjet më vonë albumin “Një lule”, dhe në vitin 1974 albumin “Nexhmije Pagarusha”, që po me të njëjtin emër titulloi edhe albumet e viteve 2008 dhe 2013.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare ishte aq e pasur saqë është e vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon, sepse ajo këndoi thuajse në të gjitha zhanret. Është e njohur për interpretimet e saja të shkëlqyera në muzikën popullore, por ajo në anën tjetër këndoi me sukses edhe opera. Përveç si këngëtare, ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Askush nuk do t’i harrojë interpretimet e saj, që nuk kanë qenë thjesht vetëm art i të kënduarit sepse në interpretim ajo kalonte dimensionet e një simfonie të përsosur. Ajo ishte interpretuese e 150 këngëve dhe pjesëmarrëse e shumë koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj.

Pagarusha la muzikën në vitin 1984 për t’u kthyer pas 16 vitesh, më saktësisht në vitin 2000, me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea.

Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020 në moshën 86-vjeçare. Ajo do të mbahet mend si një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare./UBTNews/

Realizoi: Edi Miftari

Exit mobile version