UBT News

Neville: Ten Hag ka një “mision të pamundur” te United

Manchester United nuk duhet që të ketë shpresa që do të fitojë titull të menjëhershëm nën urdhrat e trajnerit të ri, Erik Ten Hag, ka thënë ish-lojtari i gjigantit anglez, Gary Neville.

Po ashtu, ky i fundit ka paralajmëruar se trajneri holandez do të ketë një punë të vështirë në “Old Trafford”, ku fillimisht duhet të fillojë rindërtimi i skuadrës.

Trajneri momental i Ajaxit, Ten Hag, do të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” nga trajneri i përkohshëm Ralf Rangnick në fund të këtij sezoni, dhe do të ketë për detyrë këndelljen e ekipit, i cili po kalon në periudhën më të vështirë që nga largimi i Sir Alex Ferguson.

Vazhdimisht janë duke u bërë pyetje nëse një skuadër me mungesë vetëbesimi mund të garojë në Ligën e Kampionëve, ndërkaq lojtarë të shumtë pritet që të largohen nga klubi.

Shpresat mbeten të mëdha që Ten Hag mund të rikthejë Unitedin në majat më të larta të futbollit, por ish-mbrojtësi i United, Gary Neville, ka paralajmëruar që nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë të problemeve në “Teatrin e Ëndrrave”.

“Ajo se çfarë po përjetojmë tani është e papranueshme. Ten Hag ka një detyrë të madhe dhe të vështirë që ta rikthejë klubin në standardet minimale. Ata duhet të merren me sjelljet, etikën e punës, besimin dhe vetëbesimin, dhe më pastaj duhet të fillojnë të mendojnë për të fituar tituj”, tha Neville.

“Iu desh Jurgen Klopp katër ose pesë vite për të fituar një titull të Premier Ligës. Nuk do të bëja shumë presion drejt Ten Hag për të fituar një titull në Premier Ligë. Ata janë miliona kilometra larg asaj gjëje”, tha Neville.

Momentalisht, pas 33 ndeshjeve të zhvilluara, Manchester United zë vendin e gjashtë në tabelë me gjithsej 54 pikë të arkëtuara, tre sosh larg vendit të katërt që e okupon skuadra e Tottenhamit.

Exit mobile version