UBT News

Nën regjinë e profesoreshës së UBT, Marigona Ferati, shfaqja “Një vrasje e vogël aksidentale” arrin sukses në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Egjipt

Shfaqja teatrale “Një vrasje e vogël aksidentale”, një produksion i Teatrit të Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, ka arritur një sukses të madh ndërkombëtar duke u bërë pjesë e festivalit prestigjioz Sharm el-Sheikh International Theater Festival, një nga ngjarjet më të mëdha dhe të rëndësishme të teatrit në botë. Ky festival, i njohur për grumbullimin e teatrove më të mirë nga mbarë bota, ka radhitur këtë vit mbi 4000 aplikime, duke e bërë konkurrencën shumë të fortë dhe prestigjioze.

Shfaqja është bazuar në veprën e autorit të njohur Jean Pierre Martinez dhe është drejtuar nga regjisorja Marigona Bekteshi Ferati, profesoreshë në UBT. Me këtë shfaqje, Teatri i Qytetit “Muharrem Qena” po konkuron me teatro të njohura dhe me renome ndërkombëtare, duke e vendosur atë në një pozicion të shkëlqyer në skenën teatrale globale. Ky është një hap i rëndësishëm për teatrot e Kosovës, duke u bërë pjesë e një ngjarjeje kaq të madhe dhe prestigjioze.

Një moment i veçantë i këtij festivali ishte kur aktorja e talentuar Qendresa Kajtazi mori çmimin për “Aktoren më të mirë të festivalit”, një arritje që jo vetëm që e nderon atë, por është një sukses i madh për të gjithë Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” dhe për teatrin kosovar. Ky çmim tregon nivelin e lartë të performancës dhe profesionalizmit të aktorëve të shfaqjes, duke vërtetuar se artistët nga Kosova po arrijnë të shpërthejnë në skenat ndërkombëtare.

Përveç aktorëve të talentuar dhe regjisores, shfaqja ka një tjetër element të rëndësishëm që ka kontribuar në suksesin e saj: kostumet e shfaqjes, të cilat janë krijuar nga Profesoresha e UBT-së, Aferdita Statovci. Puna e saj ka sjellë kostume të ngjyrosura dhe tërheqëse, duke i dhënë shfaqjes një pamje vizuale të jashtëzakonshme dhe duke e bërë edhe më të veçantë këtë produksion.

Suksesi vjen si rezultat i angazhimit dhe punës së palodhur të gjithë ekipit të shfaqjes, i cili ka arritur të prezantojë një teatër cilësor dhe të fitojë vëmendjen e audiencës ndërkombëtare. Ky hap përpara është një arritje e madhe për zhvillimin e kulturës dhe artit teatror shqiptar, duke e vendosur Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në hartën e teatrove më të njohur dhe të respektuar në nivel global./UBTNews/  

Exit mobile version