Sot në Luksemburg po zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku do të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, i cili mbulon fushat e “Ndërmarrjeve dhe Politikave Industriale”. Me këtë hap, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke konsoliduar më tej avancimin drejt objektivit për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Kapitulli 20 përqendrohet në zhvillimin e sipërmarrjes, mjedisin e biznesit, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregun evropian.
Sipas agjendës zyrtare, kryeministri Edi Rama arrin në Qendrën Evropiane të Konventave rreth orës 16:40, ku do të zhvillojë deklaratën për mediat dhe foton zyrtare me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, si dhe me ministrin irlandez, Thomas Byrne. Konferenca e 10-të Ndërqeveritare nis punimet në orën 17:00, ndërsa pas përfundimit të saj, nga ora 17:45, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp. /E.A/
