“Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”, ishte konferenca e parë e cila u mbajt në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e UBT-së, Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.
Në këtë konferencë me karakter shkencor u prezantuan disa punime dhe u dhanë rekomandime të shumta për urbanizmin e ri, duke i dhënë theks të veçantë qëndrueshmërisë, inovacionit, teknologjisë dhe investimeve strategjike.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë konferencë me karakter shkencor, njëherit theksoi se urbanizmi i ri është një qasje dhe praktikë shumë e rëndësishme e cila mund t’u shërbejë të gjithë profesionistëve të fushës për të planifikuar qytetet, vendbanimet e lagjet në bazë të këtyre premisave.
Rektori Hajrizi potencoi se UBT ka ndërtuar një ekosistem në vlera dhe cilësi, duke i dhënë hapësirë të veçantë krijimit të programeve të reja, të cilat i japin karakter tjetër nivelit të studimeve akademike në fushën e urbanizmit.
“Programet Arkitekturë dhe Planifkim Hapësinor; Inxhnieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës; Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment; Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës; Agrikultura dhe Inxhinieria e Mjedisit janë të gjitha programe aktive në UBT, e të cilat i shërbejnë vizionit tonë për të ofruar programe të veçanta studimi në temat dhe fushat që trajtojmë në këtë konferencë. Përveç kësaj, ne në UBT kemi bërë bashkë fushat Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Planifikimi Urban, duke dizajnuar dhe akredituar një program të veçantë që integron këto dy komponente. Ndërsa këtë vit do të jemi dëshmitar të diplomimit të gjeneratës së parë master të programit master Planifikim Urban dhe Zhvillim i Qëndrueshëm- në gjuhën shqipe”, tha rektori Hajrizi.
Themeluesi i kompanisë “Christopher Hyland Inc.”, njëherit drejtori i “Hylandtown”, Christopher Hyland vlerësoi lart angazhimin e profesorëve universitarë dhe të studentëve për të kontribuuar në fushën e urbanizmit, teksa njëherit prezantoi para të pranishmëve rreth impaktit të trafikut dhe standardeve arkitektonike.
Mes tjerash, Hyland theksoi se Kosova ka një arkitekturë unike dhe bashkëkohore, duke ofruar në të njëjtën kohë edhe një nderim të së kaluarës, apo historisë, e me këtë rast kjo e bën të veçantë.
“Janë të panumërta rrëfimet e dizajnit arkitekturor dhe urban të Kosovës që, së bashku, ofrojnë themelin nga i cili, për të krijuar arkitekturë unike e bashkëkohore, në shkallë të ndryshme, duhet nderuar të kaluarën, duke ofruar mundësi të reja stilistike, të gjitha për të gjetur vend në urbanizmin e ri”, theksoi Hyland.
Profesori ndërkombëtar nga Universiteti i Lisbonës në Portugali, Jorge de Brito, diskutoi para të pranishmëve rreth temës “The Past and Future of Sustainable Concrete”, duke shtjelluar detaje rreth të kaluarës dhe të ardhmes së betonit të qëndrueshëm.
Profesori Jorge de Brito theksoi se shtyllat e qëndrueshmërisë janë kryesisht mjedisore, ekonomike dhe sociale, teksa për kufizimet e përbashkëta për analizat ekzistuese të qëndrueshmërisë konsiderohen kufijtë (fazat e ciklit jetësor), si dhe llogaridhënia e ndikimeve (ndikimet e shmangura).
Ai vlerësoi se janë disa masa për të nxitur betonin e qëndrueshëm, ndër to: masat për përmirësimin e qëndrueshmërisë (qëndrueshmëria ndihmon në ruajtjen e mjedisit), masat për të ndalur varësinë e rezistencës së betonit nga procedurat e projektimit strukturor (rezistenca dëmton mjedisin), materialet jo konvencionale (përkatësisht ato që mund të zëvendësojnë lidhësit konvencionalë), marrja e të dhënave të besueshme për ndikimet dhe kostot mjedisore, si dhe dizajn i bazuar në performancë.
Qëllimi i konferencës “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”, ishte ndarja e njohurive dhe pikëpamjeve të ekspertëve dhe profesionistëve mbi parimet e urbanizmit të ri, si mundësi unike për të ndikuar në të ardhmen e Kosovës.