Në nder të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një ngjarje, me prezencën e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe ekspertes së politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi.
Duke konsideruar se edukimi është thelbi për drejtësinë dhe barazinë gjinore, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi se grave përmes arsimimit u jepet më shumë mundësi për të siguruar dhe mbrojtur vetveten.
“Edukimi është shumë i rëndësishëm në luftën kundër dhunës, veçanërisht kur bëhet fjalë për parandalimin. Kur gratë janë të arsimuara, ato kanë fuqinë të ndjekin ligjet që i mbrojnë ato. Kur ato arsimohen, do të kenë më shumë mundësi për të siguruar jetesën, për të kontribuar në të ardhurat e familjes dhe për të përhapur njohuritë e tyre në të gjithë familjen dhe komunitetin. Ekspertët e dhunës me bazë gjinore arrijnë në përfundim se arsimi është kundërhelmi më i mirë kundër dhunës në familje, veçanërisht dhunës ndaj grave”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme, dhe se Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie të papranueshmërisë të status quo-së.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Pavarësisht nga këto tendenca dekurajuese, ka më shumë prova se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme. Format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk janë të pashmangshme. Ato mund dhe duhet të parandalohen. Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie që nuk zbehet dhe një njohje të re të papranueshmërisë të status quo-së. Të parandalosh dhunën përpara se ajo të ndodhë ose të përsëritet do të thotë që puna jonë duhet të demonstrojë dhe të mësojë se çfarë është pabarazia dhe se si ekzistenca e saj e vazhdueshme po e pengon përparimin”, ka theksuar ambasadori Westerlund.
Ekspertja e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, potencoi se institucionet në Kosovë kanë mekanizma, të cilat luajnë një rol të veçantë në barazinë gjinore dhe janë një gjetje e dobishme shtetërore që shumë vende të tjera nuk i kanë.
“Kosova ka mekanizma gjinorë, si; komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore, ka agjencinë për barazi gjinore, ka avokatin e popullit që merret vetëm me çështjet e barazisë gjinore dhe është një gjetje shumë e dobishme dhe efektive. Në çdo komunë dhe ministri keni zyrtaren për barazi gjinore. Këto janë pikat e forta të Kosovës, që vendet e tjera nuk i kanë”, është shprehur Idrizi.
Kjo ngjarje vazhdoi me sesionin e diskutimit me studentët e UBT-së dhe eksperten e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, duke shtjelluar gjerësisht problematikat që shfaqen në realizimin e barazisë gjinore dhe praktikat më të mira për parandalimin dhe eliminimin e tyre.