Një monument për juristët që luajtën një rol në shpëtimin e hebrenjve bullgarë gjatë Holokaustit u zbulua të mërkurën në sheshin “Vazrazhdane” të Sofjes. Nisma erdhi nga Shoqata e Prokurorëve në Bullgari dhe Dhoma e Hetuesve në Bullgari, ndërsa projekti u zbatua me ndihmën e bashkisë së Sofjes.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadori izraelit Yosef Levi Sfari, përfaqësues të gjyqësorit, autoriteteve lokale në kryeqytet, komunitetit akademik dhe qytetarë. Shiriti u pre nga kreu i Shoqatës së Prokurorëve në Bullgari Vladimir Nikolov, Kryetarja e Dhomës së Hetuesve në Bullgari Preslava Petkova dhe Georgi Georgiev nga Këshilli Bashkiak i Sofjes.
Nikollov tha se ndihet krenar për atë që bënë bullgarët 80 vjet më parë dhe se si sot “të gjithë së bashku arritëm të nderojmë veprimin e tyre”. Sipas tij, shpëtimi i hebrenjve bullgarë nuk është punë e një personi apo shtresash të veçanta, por rezultat i entuziazmit dhe përkushtimit të gjithë shoqërisë bullgare.
Nënkryetari i Dhomës së Hetuesve Jasen Todorov tha se juristët bullgarë që morën pjesë në shpëtim patën guximin dhe dinjitetin të ngrihen kundër status-quo-së në mbrojtje të vlerave njerëzore.
Sipas tij, monumenti synon t’i tregojë botës se Bullgaria dhe Sofja janë qendra tolerance ku jetojnë së bashku etni dhe fe të ndryshme, si dhe t’i tregojnë vetes se kur ka një çështje kombëtare, shtresa të ndryshme shoqërore me pikëpamje të ndryshme politike dhe financiare.
Ambasadori izraelit tha se avokatët, gjyqtarët dhe prokurorët luajtën një rol të madh në ndalimin e së keqes. Sipas tij, shoqëria bullgare u ngrit kundër së keqes 80 vjet më parë; që nuk ishte një veprim i menjëhershëm, por një proces. Ka të drejtë dhe ka të gabuar, dhe juristët nuk mund të justifikojnë atë që është moralisht e gabuar, sepse duke vepruar kështu, ata do ta dënonin shoqërinë e tyre në kaos moral dhe konfuzion të vlerave etike mbi të cilat bazohen shoqëritë.
Yosef Levi Sfari falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në projektin e monumentit, i cili do të kujtojë “rolin vendimtar të juristëve në shoqëritë tona”.
Monumenti është punuar nga skulptori Krasimir Angelov dhe arkitekti Stanislav Konstantinov. Ai përfaqëson Yllin e Davidit kur shihet nga lart. Është prej bronzi të derdhur. Duke kaluar nëpër monument, njeriu gjendet mes dy pasqyrave që shumëfishojnë imazhin, që mund të interpretohet si ruajtje e jetës njerëzore dhe e familjes.
Këtë vit, Bullgaria shënon 80-vjetorin e shpëtimit të hebrenjve bullgarë nga kampet naziste të vdekjes. Në këtë vend u shpëtuan afro 50 mijë jetë. Sipas informacioneve në faqen e internetit të Qendrës së Përkujtimit të Holokaustit Yad Vashem, Bullgaria kishte 50.000 hebrenj para Luftës së Dytë Botërore dhe zero viktima. Është i vetmi vend me zero viktima./BTA