UBT News

Në Prishtinë organizohet një mbrëmje kulturore me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales që mban emrin e saj “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë organizohet një mbrëmje solemne kulturore, duke filluar nga ora 19:30.

Ngjarja do të mbahet në ambientet e katedrales dhe ka për qëllim të nderojë jetën, veprën dhe trashëgiminë e pavdekshme të humanistes shqiptare, e cila u bë simbol botëror i dashurisë, përkushtimit dhe mëshirës ndaj të varfërve.

Në këtë mbrëmje të veçantë pritet të performojnë artistë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët do të sjellin përmes muzikës dhe artit një mesazh mirënjohjeje, paqeje dhe dashurie në nder të figurës së Shën Nënë Terezës, e njohur nga mbarë bota si “Nëna e madhe e Globit”.

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Terezë u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4.500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.

Exit mobile version