UBT News

Në labirintin e ligjit: A është i vlefshëm ndalimi i librit të Rushdie në Indi?

Në një zhvillim që ka ngritur shqetësime dhe ka hapur diskutime të mprehta ligjore, një gjykatë e Lartë e Delhit ka sugjeruar se urdhri i ndalimit të importit të librit The Satanic Verses nga Salman Rushdie, i lëshuar në vitin 1988, mund të mos jetë më në fuqi, pasi qeveria nuk ka mundur ta gjejë atë dokument. Kjo ka bërë që të lindë një pyetje që ka ngatërruar ekspertët ligjorë: a është ende e vlefshme një ndalim kur nuk mund të gjendet asnjë kopje e urdhrit të tij?

Ky libër, që ka shkaktuar reagime të forta nga disa grupe myslimane, të cilët e cilësojnë si blasfemik, u ndalua menjëherë pas publikimit të tij, duke ndezur protesta dhe polemika në mbarë botën. Kjo çoi edhe në një fatwa të lëshuar nga Ajatollahu Khomeini në vitin 1989, i cili kërkoi vrasjen e Rushdie-s, duke e detyruar autorin të fshihej për pothuajse një dekadë.

Megjithëse libri mbetet ende i ndaluar në Indi, disa ekspertë ligjorë besojnë se mund të importohet nëse qeveria nuk e ribën të vlefshme ndalimin, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se ende mund të ekzistojnë pengesa praktike.

Çështja u ngrit kur Sandipan Khan, një banor i shtetit të Bengalit Perëndimor, u përpoq të blinte librin, por mësoi se ai nuk mund të publikohej në Indi dhe nuk mund të importohej. Në vitin 2017, Khan paraqiti një kërkesë për të drejtën e informacionit (RTI) për të marrë njoftimin zyrtar që ndalonte importin e librit, por ai u dërgua përmes disa departamentesh pa mundur ta gjente. Në vitin 2019, Khan e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë të Delhit, duke argumentuar se ndalimi po ndikonte në lirinë e tij për të lexuar.

Pas pesë vitesh kërkimesh dhe pa një përgjigje të qartë nga departamentet qeveritare, më 5 nëntor, gjykata shpalli se nuk kishte mundësi tjetër veçse të “presupozohej” se nuk ekziston një njoftim të tillë, dhe për këtë arsye nuk mund të vlerësohej vlefshmëria e tij.

Ky rast ngre një pyetje të mprehtë ligjore: a është një njoftim i vlefshëm nëse nuk mund të gjendet kopja e tij?

Përgjigja e thjeshtë është se ende nuk e dimë. Gjykata nuk ka sqaruar ende nëse libri mund të jetë i disponueshëm në Indi, por i ka këshilluar z. Khan të ndjekë mundësitë ligjore për ta siguruar atë. Avokati i tij, Uddyam Mukherjee, theksoi për BBC-në se as departamentet federale nuk mundën të ofronin një përgjigje të qartë kur u pyetën nga gjykata.

“Kam hasur në shumë raste, por asnjëherë në një situatë të tillë,” tha Madan Lokur, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Indisë. Ai theksoi se, nëse nuk gjendet njoftimi, “teorikisht nuk ekziston ndalim dhe libri mund të importohet”. Megjithatë, ai shtoi se qeveria mund të lëshojë një njoftim të ri për ta ndaluar importin e librit.

Nga ana tjetër, disa ekspertë ligjorë mendojnë se ky sugjerim është pak ekstreme. Raju Ramachandran, një avokat i njohur, tha se gjykata nuk ka dhënë të drejtën për importimin e librit, por ka shpallur vetëm se ky peticion ka humbur vlefshmërinë, pasi nuk u gjet njoftimi. Avokati Sanjay Hegde e shpalli këtë situatë si një pasojë të një heshtjeje të madhë: “Në fund të fundit, askush nuk kishte guximin të e botojë atë libër në Indi”, tha ai.

Në vitin 2012, qeveria e shtetit të Rajasthan kërkoi arrestimin e katër shkrimtarëve indianë pasi ata lexuan disa pasazhe nga The Satanic Verses në një festival letrar, duke shkaktuar një tjetër valë të protestave. Megjithatë, kopjet online të librit janë të vështira për t’u gjetur në Indi.

Salman Rushdie, 76 vjeç, vazhdon të përballet me kërcënime për shkak të pikëpamjeve të tij të hapura për Islamin. Në vitin 2022, ai humbi një sy dhe kaloi gjashtë javë në spital pas një sulmi me thikë, ku ai u qëllua deri në dhjetë herë gjatë një ngjarjeje në shtetin e New York-ut. Autoritetet kanë ngritur akuza për tentativë vrasjeje ndaj të dyshuarit Hadi Matar.

Në memorien e tij të fundit, Rushdie kritikon përgjigjen ndaj librit të tij, duke theksuar se “asnjë organ i autorizuar [në Indi] nuk e ka shqyrtuar librin, dhe as që ka pasur një proces gjyqësor”./BBC/D.E.

Exit mobile version