Policia gjermane ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Berngau të Bavarisë.
Sipas autoriteteve, viktimat janë dy nëpunës civilë të distriktit Neumarkt — një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare. Megjithëse fillimisht u raportua se zyrtarja kishte mbetur e plagosur rëndë, policia më vonë konfirmoi se ajo ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.
Pas sulmit pasditen e së enjtes, i dyshuari u ngujua për orë të tëra brenda një ndërtese. Policia rrethoi zonën, udhëzoi banorët të qëndrojnin brenda shtëpive dhe angazhoi njësitë e forcave speciale. Pavarësisht thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, i dyshuari refuzoi dhe paralajmëroi rezistencë.
Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale ku u përdorën edhe eksplozivë, 60-vjeçari mbeti i plagosur lehtë në këmbë nga një plumb i policisë dhe më pas u vu në pranga. Ai ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa motivet e këtij krimi mbeten ende të panjohura. /E.A/
