Anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, e mirëpritën vendimin e Kuvendit të Malit të Zi për të miratuar një rezolutë, e cila ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
“Unë e konsideroj atë një akt civilizimi, veçanërisht për shkak të faktit që e ndalon mohimin e gjenocidit”, tha Komshiq.
Për Xhaferoviqin, miratimi i rezolutës “paraqet një hap civilizues përpara dhe një kontribut të pamatshëm në rivendosjen e besimit dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Në Srebrenicë të Bosnjës, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës, më 1995.
Parlamenti i Malit të Zi, me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, ka miratuar më 17 qershor rezolutën që e ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Ligjvënësit malazezë gjithashtu kanë votuar për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vlladimir Leposaviq, i cili e ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë.
Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
Rezoluta e Malit të Zi i dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që e mohojnë ose e vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa 11 korrikun e shpall Ditë të Përkujtimit për Viktimat e Srebrenicës./REL