Kur talibanët arritën në provincën e Parveen Tokhi-t në Zabul në mes të muajit gusht dhe kërkuan ta përdorin shkollën e saj si kazermë të përkohshme, ajo ishte e frikësuar, por e dinte se çka duhej të bënte.
Ajo i kaloi vitet e zymta të qeverisë së parë talibane në vitet 1990 e ngujuar në shtëpi si pothuajse të gjitha gratë afgane, të privuara nga arsimimi dhe puna. Ishte e vendosur se po e njëjta zymtësi nuk do ta përfshinte edhe një gjeneratë tjetër.
“Thashë: Në rregull, mund të qëndroni brenda natës, por këto ndërtesa janë shkolla të vajzave dhe unë e kam sakrifikuar gjithë jetën time për edukimin e tyre. Burrat duhej ta lironin në kohë objektin në mëngjes për të filluar si zakonisht me mësimet në shkollën Bibi Khala të nesërmen”, insistoi ajo, e patrembur nga armët e tyre.
Pastaj ajo ra në kontakt me zyrtarët e lartë talibanë dhe ua tha drejtpërdrejt se nuk ka asnjë justifikim islamik për t’i ndaluar vajzat nga klasat dhe korridoret ku ajo kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj, fillimisht si studente, pastaj për katër dekada si mësuese.
“U thashë: “Nuk do ta mbyllë shkollën, edhe nëse dikush më vret për këtë, sepse vajzat vijnë me hixhab dhe mësueset janë femra”’, deklaroi ajo.
Provinca jugore e Zabulit, ku ajo jep mësim, është aq konservatore saqë edhe nën qeverinë e mëparshme funksiononin vetëm tri shkolla të mesme për vajza, të gjitha në kryeqytetin e provincës, Qalat. Vajzat në zonat rurale e përfundonin shkollimin në klasën e gjashtë.
Nuk kishte vend për eksperimente në politikën edukativo-arsimore të talibanëve, por çuditërisht në Zabul dhe më gjerë, zyrtarët e rinj talibanë ua mundësuan vajzave të reja të vazhdonin shkollimin pas disa kompromiseve.
Vajzat duhet të veshin “hixhab” – me të cilën talibanët nënkuptojnë burkën – kur udhëtojnë nga dhe për në shkollë, ndërsa një pjesë e vogël e mësuesve meshkuj në vend janë pushuar nga puna dhe mësimet që djemtë i mbanin në shkolla fillore s’po mbahen më.
“Gratë erdhën këtu (në zyret e departamentit të edukimit) dhe më kërkuan që t’ua lejojmë edukimin, dhe ne vendosëm pro kësaj”, deklaroi Muhammad Usman Huriyat, drejtori i Arsimit i Zabulit.
Talibanët e dinë rëndësinë e arsimimit të vajzave dhe duan të trajnojnë më shumë mjeke gra, tha ai.
“Ne të gjithë jemi përgjegjës për këtë. Ne i dimë të drejtat e njeriut, nevojën e njerëzve”, deklaroi ai.
Shkollat e Zabulit qëndruan të hapura edhe pasi qeveria qendrore e talibanëve solli një ndalim de facto të arsimit të mesëm për vajzat në muajin shtator të vitit të kaluar, duke mos respektuar premtimet ndërkombëtare për të njohur të drejtën e grave në Islam për të studiuar dhe punuar.
Vendi ka 34 provinca, por më pak se një e treta kanë lejuar rihapjen e ndonjë prej shkollave të vajzave dhe akoma më pak në klasat e mesme. Miliona vajzave po u privohet e drejta për arsimim.
“Tani po qëndroj tërë ditën në shtëpi. Gatuaj ose i pastroj rrobat, apo e pastroj shtëpinë. Jam sikurse në burg”, deklaroi Arifa, një 15-vjeçare nga Kabuli, e cila shpresonte se suksesi i saj në shkollë do të ishte rrugëdalje nga varfëria për familjen e saj.
“Ndihem sikurse nuk jam më pjesëtare e shoqërisë së Afganistanit”, shtoi tutje ajo.
Pranverën e kaluar, sulmuesit vranë dhjetëra shokë e shoqe të saj të klasës, por ajo prapë u kthye në shkollë. Është e vendosur ta kthejë motivin që e kishte më herët.
Në Zabul, aktivistet për të drejtat e grave thanë se qëndrimi i hapur i Tokhit ndihmoi për të bindur talibanët të merrnin një vendim të papritur, megjithëse ajo u demotivua që atëherë.
“Që në fillim isha shumë e drejtpërdrejtë”, thotë ajo e sigurt për ndryshimin. “Kjo është ndoshta arsyeja pse humba punën. Gjithçka për shkak të angazhimit tim ndaj studentëve të Zabulit”, shtoi ajo./UBTNews