Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën tradicionale shqiptare.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe komunitetin akademik, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Rizës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.
I lindur më 3 korrik 1937 në Shkodër, Emin Riza zhvilloi një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në dokumentimin dhe mbrojtjen e monumenteve shqiptare.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti-Muze i Gjirokastrës” dhe monografia “Banesa shqiptare me qoshk”. Ai ishte autor i 16 monografive dhe 134 artikujve shkencorë në revista të specializuara.
Emin Riza ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, si dhe një nga kontribuuesit në përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n.
Për kontributin e tij shumëvjeçar, ai ishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe Beratit. Homazhet për akademikun Emin Riza do të mbahen sot në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Tufinës./A.K/
