Bibliotekat komunale në vend, por edhe ato në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, do të pasurohen me nga 210 tituj të rinj të librave. 38 biblioteka komunale përfituan nga titujt të cilët janë botuar dhe blerë me financimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht Departamenti për Kulturë në këtë ministri.
Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre librave, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, tha se është e njoftuar me problemet që ballafaqohen komunat e sidomos bibliotekat komunale. Ajo tha se gjatë vitit si ministri kanë rritur buxhetin dhe se mbështetja ka qenë shumë e madhe për librin.
“Këtë fond e shpërndajmë në 37 komuna, përveç 37 komunave e shpërndajmë edhe në pjesën jashtë shtetit tonë, pjesën shqiptare të Medvegjës, të pjesës së Bujanocit, Preshevës dhe kjo më bënë të ndjehem shumë mirë. Ne sivjet kemi rritur buxhetin dhe mbështetja ka qenë mjaft e madhe në libër”, tha ajo.
Dumoshi tha se do të vazhdojnë me përkrahjen e librit, derisa potencoi se fondi për mbështetjen e librit do të rritet edhe gjatë këtij viti.
Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, tha se do të vazhdojnë edhe më tutje të përkrahin bibliotekat komunale.
“Departamenti i Kulturës si çdo vit do të vazhdojë edhe më tutje përkrahjen e bibliotekave komunale me tituj të rinj, duke e pasur parasysh se bibliotekat komunale në Kosovë ashtu sikurse edhe shumica e institucioneve kulturore komunale, kanë vështirësi në financimin e tyre, andaj ne e kemi parasysh që si institucion që e mbulon kulturën në të gjithë vendin të ofrojmë mbështetje për këto institucione komunale. Normalisht që mbështetja e bibliotekave komunale nuk përfundon këtu, sepse ju jeni dëshmitarë që në vazhdimësi ne kemi mbështetur edhe projekte të tjera të bibliotekave komunale në vazhdimësi edhe përmes thirrjeve tona publike që organizojmë si Departament i Kulturës”, tha ajo.
Drejtori i Bibliotekës së Prishtinës, Munish Hyseni, tha se i gëzohen çdo donacioni me libra që marrin, derisa ka pasur një sugjerim për shtëpitë botuese që të konsultohen me bibliotekat komunale se çka kërkohet më shumë për t’u lexuar.
“Gjendja e bibliotekave të qyteteve të Kosovës është në gjendje të rëndë, prandaj ne i gëzohemi çdo dhurimi të librave që bëhet edhe nga MKRS edhe nga kushdo qoftë. Të kthehen në bibliotekat komunale dhe të marrin disa sugjerime se çka kërkohet dhe çka lexohet, po e përsëris që nuk është ky qëllimi im që të ndërhyjmë në botimet, por besoj dhe ju besoni se nëse në bibliotekën time në kohë normale janë 8 mijë lexues dhe çdo vit ne hartojmë një anketim se çka kërkojnë dhe çka duhet me pas biblioteka. Janë më shumë sesa dy, tre redaksi, 10 redaksi, kjo e ka kuptimin e mirë për shkak se ministria po i financon, kështu që ne do të ishim më të pasur dhe më të mirë në plotësimin e atyre kërkesave”, tha ai.
MKRS, duke ndjekur politikat e saj për librin, mbështet financimin e botimit dhe të blerjes së tij. Më pas, kontingjentin e blerë të librit e shpërndan çdo vit për bibliotekat komunale të Kosovës, siç u organizua edhe ceremonia e sivjetme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.