Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.
Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.
Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/
