UBT News

Muriqi rikthehet në Turqi: Arrin marrëveshje me Fenerbahçen

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, është shumë pranë rikthimit të madh në futbollin turk. Pas aventurës në La Liga me skuadrën e Mallorcas, Muriqi ka arritur një marrëveshje në parim me gjigantin nga Stambolli, Fenerbahçen.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga vetë klubi turk përmes një njoftimi në faqen e tyre, ku bëhet e ditur se shtatgjati kosovar tashmë ka zbritur në Stamboll.

“Klubi ynë ka arritur marrëveshje në parim me futbollistin Vedat Muriqi, i cili ka mbërritur në Stamboll për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe për të përfunduar fazën e fundit të bisedimeve për transferimin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Fenerbahçes.

Në aeroportin e Stambollit, Muriqi ka marrë një pritje madhështore. Ai u mirëprit nga zyrtarët e lartë të klubit, si anëtarët e Bordit Drejtues, Savaş Adalet e İsmail Balcı, si dhe drejtori sportiv, Oğuz Çetin. Përveç udhëheqësisë së klubit, atij iu rezervua edhe një mikpritje e ngrohtë nga tifozët e shumtë të pranishëm, të cilët shfaqën entuziazmin dhe dashurinë e tyre për rikthimin e sulmuesit. /E.A/

Exit mobile version