Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka vlerësuar lart fitoren me përmbysje të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit me rezultat 3-2, duke deklaruar se ky triumf i tregoi mbarë Evropës madhështinë e gjigantit turk.
Prizrenasi u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues i Romelu Lukakut dhe pas vetëm pak minutash realizoi golin e fitores. Përveç golit vendimtar, paraqitja e tij u vlerësua lart nga platforma e specializuar Sofascore, e cila i dha notën 7.5 – ndër më të lartat e ndeshjes.
“Jam shumë i lumtur. Ky gol është një dhuratë për tifozët tanë. Po kalojmë disa kohë të vështira, por sot i treguam të gjithëve se sa e madhe është Fenerbahçe,” tha Muriqi pas takimit.
Ai shtoi se skuadra e nisi ndeshjen mjaft mirë dhe tregoi karakter për t’u rikthyer nga disavantazhi 1-2: “Të gjithë e ndjenë këtë energji. E nisëm mirë, goditëm shtyllën dhe pësuam një gol të pafat, por ia dolëm të riktheheshim. Kjo është madhështia e këtij klubi. Shpresoj me shpirt që ky triumf të shërbejë si pikë kthese për ne.”
Sulmuesi shtatlartë do të paraqitet me Fenerbahçen edhe në ndeshjen e këtij vikendi në kampionat, përpara se të udhëtojë drejt Kosovës për t’u grumbulluar me kombëtaren për dy sfidat e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës. /E.A/
