UBT News

Murati: Mjafton që Hamza të thotë “po”, Kurti e Abdixhiku mund ta bindin Sejdiun

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, duke thënë se nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, jep mbështetjen e tij, atëherë Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku mund të përpiqen ta bindin Sejdiun që të rikthehet në garë.

Reagimi i Muratit erdhi pasi Sejdiu deklaroi se e ka njoftuar sërish Kurtin dhe Abdixhikun se është tërhequr nga kandidatura. Ai tha gjithashtu se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.

Kjo situatë u krijua pas ofertës publike të Kurtit drejtuar PDK-së, ku kërkoi që të sigurojë një pjesë të votave të deputetëve të kësaj partie për zgjedhjen e Sejdiut president, ndërsa në këmbim u zotua për mbështetjen e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Murati ka kritikuar disa media për raportimin e tërheqjes së Sejdiut, duke thënë se fillimisht duhet pritur përgjigjja e Bedri Hamzës ndaj ofertës së Kurtit.

“Disa media u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës, në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza”, ka shkruar Murati.

Ai ka shtuar se, nëse Hamza e pranon ofertën, atëherë Kurti dhe Abdixhiku mund të shkojnë te Sejdiu për ta bindur që të rikthehet në garë.

“Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka deklaruar Murati.

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit janë dy çështje të ndara. Ai ka thënë se ligji duhet trajtuar si një çështje më vete dhe nuk duhet të lidhet me pazare politike për zgjedhjen e presidentit.

Bekim Sejdiu ishte propozuar si kandidat i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për president, por kandidatura e tij u vu në pikëpyetje pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk i dhanë mbështetje.

D.L

Exit mobile version