Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka prezantuar masat dhe mbështetjen e ministrisë në fushën e mirëqenies sociale. Murati ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar në fazën me pandeminë janë prekur ekonomikisht më së shumti familjet me të ardhura të ulëta dhe mungesës të të ardhurave financiare.
Sipas tij lufta në Ukrainë ka ndikuar në gjendjen e inflacionit që siç tha ai, është serioze pasi që ngritja e çmimeve ka filluar nga nafta deri tek gruri, mielli, vaji dhe ushqimet bazike.
“Kriza e inflacionit që filloi në pjesën e dytë të vitit të kaluar, pra fundi i vitit të kaluar për shkak të kërkesës së rritur dhe tani kemi përkeqësim të kësaj krize duke marrë parasysh krizën energjetike gjatë dimrit që lamë pas, si dhe luftën në Ukrainë që ndikoi më tutje negativisht në çmimet, sidomos ushqimeve, duke filluar nga gruri, mielli e vaji ushqimor dhe gjërat e tjera elementare. Si qeveri jemi mundu që të ndërmarrim masa të nevojshme për aq sa ka pasur dhe ka lejuar hapësira fiskale që të adresojmë shumicën prej nevojave që të adresojmë mbështetjen ndaj qytetarëve e duke filluar çdo herë prej atyre që kanë nevojë më së shumti, kriza e inflacionit sidomos, i ka prekur të gjithë qytetarët mirëpo disa prej qytetarëve janë prekur më shumë për shkak të ardhurave të tyre të ulëta apo mungesës të të ardhurave. Pra, shumica e shportës së tyre është lehtësuar për shkak se ata preken më së shumti, si rrjedhojë”, ka thënë Murati.
Ai tutje ka folur për pakot e rimëkëmbjes ekonomike duke filluar na masa 3.1 për mbështetjen e familjarëve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre e që përfitues sipas ministrit janë 2963 familje me nga 1500 euro mbështetje.
“Ta zëmë tek pakoja për mbështetjen të familjeve kemi filluar që nga masa 3.1 pra që ka qenë mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga covid-19 dhe aty gjithsej deri më tani kemi pasur 2963 përfitues d.m.th. është mbështetur secila familje me nga 1500 euro e prej tyre kanë qenë 90 staf mjekësor që kanë punuar në institucione publike dhe që kanë humbur jetën e mbështetja pra për ta ka qenë 10 mijë euro d.m.th. jemi munduar që të përkujdesemi për ato familje që kanë humbur një anëtar të familjes duke pasur parasysh që disa prej tyre kanë pasur shpenzime gjatë trajtimit por çfarë ka qenë më e rënda ndoshta prej shumicës së këtyre familjeve disa e kanë humbur edhe burimin kryesor të të ardhurave pra nëse ka qenë dikush që ka punuar dhe ka sjellë të ardhura për familje në momentin që nuk ka qenë më ai anëtar që ka vdekur për shkak të COVID familja e ka pasur më të vështirë kemi dashur të iu dalim në mbështetje këtyre familjeve“, tha ai.
Sipas tij, përkrahje kanë pasur edhe familjet me asistencë sociale, të gjitha kategoritë e pensionistëve, pensionistët kontributpagues dhe veteranët, deri sa 100 mijë familjarë me asistencë sociale kanë përfituar nga kjo masë.
“ Tjetër mbështetje ka qenë për shembull masa 3.2 që në kuadër të kësaj mase kemi pasur mbështetje për skemat sociale pra për familjet që pranojnë asistencë sociale që janë rreth 26 mijë familje në tërësi apo 100 mijë familjarë përfitues si dhe ka qenë mbështetja për pensionistët në kuadër të këtyre masave, të kësaj mase për këto kategori fillimisht qysh në vitin e kaluar pra kemi pasur rritje prej 30% për skemat sociale me të marrë mandatin dhe pastaj për skemat sociale në muajin nëntor dhe dhjetor kemi bërë dyfishimin e përfitimit pra mbi at 30% d.m.th. përfitimi ka qenë 260% e vlerës origjinale kur kemi pranuar mandatin nëse një familje ka përfituar 200 euro me dyfishim kanë përfituar 400 euro pra 2 muaj nga 400 euro në muajt nëntor dhe dhjetor. Tek pensionistët kemi bërë rritjen e përhershme të pensioneve për 11% për pensionet bazike dhe për 33% për pensionet e tjera ato pra që kanë qenë nën 100 euro”, ka thënë Murati
Ministri i Financave ka shtuar se në vitin e kaluar për rreth 6 muaj, në kuadër të masës 3.4 në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar IOM dhe UNDP e Bashkimin Evropian kanë shpërndarë pakon ushqimore për 10 mijë e 500 familje.