UBT News

Mungesa e kuorumit, Kuvendi i Prishtinës mbyll mandatin me dështim të seancës

Ka dështuar seanca e cila ishte paraparë të mbyllte ciklin katërvjeçar të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, kjo për shkak të mungesës së kuorumit brenda sallës.

Mungesa e ekzekutivit të Komunës dhe grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës pamundësoi vazhdimin e punës dhe shtyu edhe njëherë diskutimin e temave të mbetura në rend dite.

Përfaqësuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, u shpreh se disa çështje të rëndësishme, siç është afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, apo raporti i auditimit, do duhej të diskutoheshin në këtë mbledhje.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodhë kështu, në demokraci të konsoliduara të pakta janë rastet ku pushteti mungon në seanca, mirëpo në Kuvendin Komunal, gjatë këtij mandati, kjo ka qenë një dukuri e shpeshtë”, ka thënë Sveçla.

Kryetarin Rama dhe asamblistët e pozitës, ngjashëm i ka kritikuar edhe përfaqësuesi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri.

“Përparim Rama dhe ekzekutivi nuk erdhën as sot, e mbyllën mandatin me ikje, me heshtje, me përbuzje ndaj kuvendit dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës. Ky është treguesi më i qartë i mënyrës se si kanë qeverisur”- u shpreh Retkoceri.

Pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, shpalli mbledhjen e mbyllur.

Kjo ishte mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal të Prishtinës, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Një prej çështjeve të mbetura pezull, e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje në Asamblenë e Prishtinës, është miratimi i projektbuxhetit për vitin 2026./S.K/EO/

Exit mobile version