UBT News

Mposhtet nga Golden Eagle Ylli, mbyllet seria e Trepçës prej 20 fitoreve radhazi

Golden Eagle Ylli ndalon sërish Trepçën, kështu duke e mbyllur edicionin e rregullt të Prince Caffe Superligës me fitore.

Ndeshja e luajtur në kuadër të xhiros së 28-të përfundoi me rezultat 81:79 (19:18, 20:23, 20:15, 22:23) në favor të therandasve.

Kjo ishte humbja e parë për mitrovicasit pas 20 ndeshjeve të fituara, teksa edhe herën e fundit kur u mundën në kampionat u mposhtën pikërisht nga Golden Eagle Ylli, në javën e shtatë.

Ndeshja e djeshme ishte njëkohësisht edhe ndeshja e fundit për garat e rregullta, ndërsa “Play-off” nis të dielën. Trepça tanimë ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale nga vendi i parë me 25 fitore e tri humbje, derisa Peja zë vendin dytë me 19 fitore e nëntë humbje.

Golden Eagle Ylli me 19 fitore e nëntë humbje u rendit e treta dhe në çerekfinale do të ndeshet me Bashkimin, derisa çifti tjetër çerekfinal është Sigal Prishtina-Vëllaznimi.

Në çerekun e parë, vendasit kishin epërsinë, mirëpo mitrovicasit nuk lejuan të shkëputeshin, ku edhe përfundoi 19:18. Për më ndryshe nga çereku i parë, tani më ata që kishin marrë iniciativën ishin ‘xehetarët’ me një lojë të bukur ku edhe e mbyllen pjesën e pare me dy pike epërsi, 39:41.

Në periodën e tretë, ishtin therandasit ata që zotëronin përballjen teksa arritën të dilnin mbi mitrovicasit deri në shtatë pikë, 53:46, derisa edhe pas 30 minutash rezultati ishte 59:56. Mirëpo, asgjë nuk kishte përfunduar, me Trepçën që gjithnjë ishin këmbëngulës, por që megjithatë nuk arritën ta fitojnë ndeshjen. Kështu Golden Eagle Ylli nuk lëshoi lojën nga duart dhe triumfoi 81:79.

Te vendasit më i miri ishte Alonzo Verge Jr me 35 pikë të grumbulluara dhe shtatë kërcime, derisa te mysafirët, Darnell Edge numëronte 26 pikë./UBTNews/

Exit mobile version