UBT News

Moti i keq në portin e Durrësit, tragetit i këputen litarët dhe përplaset me bankinën

Trageti i linjës Durrës-Ankona “Af Claudia” ka këputur litarët gjatë manovrave për t’u nisur, për shkak të detit të trazuar me dallgë të larta si pasojë e motit të keq.

Trageti do të nisej rreth orës 19:00, por si rezultat i erës së fortë ka këputur litarët dhe ka prekur bankinën.

Kapiteneria e portit ka konfirmuar këputjen e litarëve nga era e fortë dhe në ndihmë të tragetit ka shkuar rimorkiatori dhe aktualisht trageti po përpiqet të dalë nga porti e të nisë lundrimin drejt Ankonës.

Ndërkohë, me daljen e tij pritet të futet në kalatë trageti i linjës së Barit që ka mbërritur me afro 12 orë vonesë.

Në Durrës dhe në të gjithë vendin, vazhdon moti i keq me erë dhe reshje shiu./klankosova.tv

Exit mobile version