Dita e tretë e festivalit “Etno Fest” solli një gërshetim të arteve skenike, trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive, duke përfshirë shfaqje teatrale, demonstrime tradicionale, dokumentarë historikë dhe muzikë live.
Programi artistik nisi me monodramën “No Surprises”, me regji të Endrit Gashit dhe interpretim të Ergjan Mehmetit. Shfaqja u prezantua përmes një qasjeje skenike interesante, duke trajtuar përjetimet e individit, raportin e tij me realitetin bashkëkohor dhe dimensionin emocional të dashurisë.
Në kuadër të promovimit të trashëgimisë kulturore u prezantua etno-performanca “Zeje në zhdukje: Farkëtari”. Përmes demonstrimit praktik të mjeshtërisë së farkëtimit, performanca vuri në pah rëndësinë e ruajtjes dhe transmetimit të zanateve tradicionale.
Mbrëmja vazhdoi me shfaqjen e dy dokumentarëve me tematikë nga historia e Kosovës:
“Ferdonija” me autorë Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti: Një rrëfim për historinë dhe qëndresën e Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila jeton me kujtimin e bashkëshortit dhe katër djemve të saj të humbur gjatë luftës.
“Pesë lulet, një notë e humbur” me autor Fatlum Haziri: Dokumentar që trajton temën e helmimeve të nxënësve në shkollat e Kosovës gjatë viteve ’90, i ndërtuar mbi dëshmi, intervista dhe materiale arkivore.
Aktivitetet e ditës u përmbyllën me “Etno Nejën”, ku interpretoi grupi “Ardian Behrami CIPA & Band”, duke sjellë përpunime muzikore për publikun pranishëm. /E.A/
