Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vizituar Gjermaninë ku është pritur në Ministrinë Federale të Mbrojtjes nga Sekretari i Parlamentit të Shtetit, Nils Schmid.
Gjatë këtij takimi zyrtar u diskutua për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme gjermane për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri Maqedonci vlerësoi lart kontributin e Gjermanisë në kuadër të KFOR-it dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, duke vënë theksin te rritja e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimi i programeve për trajnime të përbashkëta.
Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për rolin konstruktiv të Gjermanisë dhe ritheksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit strategjik dhe zhvillimin e ushtrisë sipas standardeve të NATO-s për ruajtjen e paqes në rajon.
