Sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në mbarë Shqipërinë janë raportuar 33 vatra zjarri, prej të cilave 8 vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera ndodhen nën monitorim. Për përballimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 mjete zjarrfikëse, me mbështetjen e Forcave të Armatosura përmes 100 efektivëve, helikopterëve dhe dy avionëve të specializuar Air Tractor.
Operacionet më intensive tokësore dhe ajrore po zhvillohen në Malin e Dajtit në Tiranë, ku ndërhyrja po mbështetet nga dy helikopterë pa paraqitur rrezik për zonat e banuara, si dhe në Gurë-Lurë të Dibrës ku janë hapur korridore ndarëse që kanë penguar përhapjen e flakëve drejt shtëpive.
Ndërhyrje me mjete ajrore dhe forca të shumta ushtarake e bashkiake po kryhen edhe në Lufaj të Mirditës, Qafë Helmës, Bruç, Fushë-Lajë të Pukës dhe Rrjoll, kjo e fundit e monitoruar edhe me dronë. Autoritetet konfirmojnë se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon veprimet mes strukturave qendrore dhe vendore, ndërsa në asnjë prej vatrave aktive nuk raportohet kërcënim i drejtpërdrejtë për banesat. /Eeuronews/
