UBT mirëpriti Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik, ku u diskutua për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, rolin e teknologjisë moderne dhe mundësitë konkrete për përfshirjen e të rinjve në sektorët strategjikë të vendit.

Gjatë takimit, ministri Maqedonci theksoi rëndësinë që kanë studentët e fushave të inxhinierisë, mekatronikës, elektroteknikës, makinerisë dhe kimisë në ndërtimin e kapaciteteve moderne mbrojtëse të Kosovës, duke vënë në pah transformimet globale që po sjell zhvillimi teknologjik në industrinë ushtarake.
“Në historinë e njerëzimit ka pasur gjithmonë evolucion, mirëpo vetëm dy raste kanë qenë revolucionare. I pari ishte zbulimi i barotit në shekullin e XV, ndërsa aktualisht po e përjetojmë revolucionin e dytë me zhvillimin e dronëve dhe teknologjive moderne, të cilat po e ndryshojnë tërësisht mënyrën e luftimit ”, u shpreh ministri Maqedonci para studentëve të UBT-së.
Ai bëri të ditur se Republika e Kosovës po synon të fillojë me projekte konkrete dhe të realizueshme në industrinë e mbrojtjes, duke u fokusuar fillimisht në prodhimin e municionit, si një nga sektorët me kërkesën më të madhe në tregun ndërkombëtar.
“Investimi në dije, inovacion dhe në potencialin e të rinjve është investim në sigurinë, zhvillimin teknologjik dhe të ardhmen e Kosovës. Jam i bindur se brezi i ri i inxhinierëve do të ketë një rol kyç në ndërtimin e një industrie moderne të mbrojtjes, duke sjellë profesionalizëm, kreativitet dhe zgjidhje inovative në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, u shpreh Maqedonci.
UBT vazhdon të mbetet një ndër institucionet kryesore në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe inovative, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe në fuqizimin e potencialit të të rinjve të Kosovës.
