Ylli i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi, përkundër faktit se ka edhe një vit kontratë aktive me gjigantin nga Stambolli.
Sipas raportimeve nga mediat turke, përfshirë gazetën Milliyet, e ardhmja e anësorit kosovar varet direkt nga lëvizjet e radhës së klubit në afatin kalimtar. Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti në krahun e djathtë të sulmit. Nëse ky transferim realizohet, skuadra do të ketë tre lojtarë të huaj për të njëjtën pozitë, çka do të shtynte drejtuesit të konsiderojnë shitjen e Rashicës.
Drejtuesit e klubit turk janë të kënaqur me paraqitjet e Vaclav Cerny-t, i cili ka përparësi në këtë repart. Prandaj, ardhja e një përforcimi të ri do të rriste ndjeshëm gjasat për ndarjen e rrugëve me kosovarin.
Gjatë periudhës së tij te Besiktasi, Milot Rashica ka lënë gjurmë të rëndësishme duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 119 paraqitje zyrtare.
