UBT News

Meta kërkon pjesëmarrje masive në zgjedhjet e së dielës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, bëri thirrje që të dielën shtetasit shqiptarë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë dhe të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet lokale për të zgjedhur kryetarët e bashkisë si dhe këshilltarët bashkiakë.

Ai kështu kritikoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që gjatë një takimi elektoral iu kërkoi atyre që nuk do të votojnë Partinë Socialiste më mirë të mos dalin në votime.

Meta tha se është i lumtur që gjatë ditëve të fushatës ka parë mbështetjen e madhe për kandidatët e Koalicionit “Bashkë fitojmë” të partisë së tij dhe grupit të demokratëve të Sali Berishës.

“Sot në mënyrë të veçantë dua t’u kërkoj të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të përmbushin detyrimin e tyre jo vetëm qytetar, jo vetëm kushtetues, por mbi të gjitha patriotik në këto momente kritike që ka kaluar vendi ynë, për të shprehur vullnetin e tyre të lirë dhe sidomos për të kuptuar që abstenimi nuk është zgjidhje, përkundrazi është ndihma më e madhe që i jepet një bande që të vazhdojë të plaçkisë Shqipërinë, bashkitë tona, buxhetin e shtetit, taksat e tyre, të zhysë vendin tonë në borxhe gjithnjë e më të thella, të cilat do ti paguajnë gjeneratat e ardhshme. Të gjithë duhen bërë pjesë e ndryshimit”, deklaroi Meta.

Meta shtoi se ai që nuk voton nuk ka të drejtë as të ankohet nesër dhe se nuk ka të drejtë as të kërkojë llogari.

Ai kërkoi që qytetarët nuk duhet të tregtojnë votën.

“Ndaj jam besimplotë se qytetarët shqiptarë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe ata do të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e 14 majit dhe njëkohësisht ata do të bëhen të gjithë pjesë e ndryshimit të domosdoshëm për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për bashkitë tona, jo vetëm për të gjitha komunitetet tona anembanë vendit, por njëkohësisht pjesë e një përmbysje që fillon në 14 maj të regjimit të korrupsioni absolut siç ishte ai për shkak të monizmit absolut në 61 bashkitë dhe këshillat vendore të vendit tonë, për të filluar transparencën absolute që është interesi i çdo qytetari që jeton në këtë vend, që paguan taksa në këtë vend dhe që çdo ditë kërkon shërbime më të mira edhe nga bashkitë tona”, deklaroi Meta.

Të dielën, shtetasit shqiptarë me të drejtë vote iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive si dhe këshilltarët bashkiakë. Koalicioni “Bashkë fitojmë” si dhe Partia Socialiste e Edi Ramës garojnë në çdo bashki. Ndërsa kandidatë ka edhe Partia Demokratike e kryetarit të deleguar Enkelejd Alibeaj.

Exit mobile version