Së fundmi është mësuar kundërshtari i radhës së Kombëtarës së Shqipërisë. Kështu pas zyrtarizimit të miqësoreve të marsit, ndaj Kilit dhe ndaj Suedisë, është zyrtarizuar edhe njëra prej ndeshjeve të muajit qershor.
Bëhet fjalë për Lihtenshtajnin, me të cilin FSHF ka rënë dakord për një ndeshje miqësore, që do të bëhet para nisjes së Kampionatit Evropian.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit në Lihtenshtajn, që pranon se një nga miqësoret e tyre do të jetë ajo ndaj Shqipërisë, teksa thekson se mbetet për t’u përcaktuar data, ora dhe vendi.
“Në qershor, dy finalistë të Europianit do të duan të kontrollojnë formën e tyre kundër Lihtenshtajnit pak para fillimit të EURO 2024-ës. Fillimisht, në fillim të muajit në një vend dhe datë ende të pacaktuar, do të luajmë kundër Shqipërisë, më pas në 8 qershor në Bukuresht kundër Rumanisë”, thuhet në komunikatën e Federatës së Lihtenshtajnit.
Në muajin qershor kombëtarja e kuq e zi pritet të zhvillojë tri ndeshje miqësore, me trajnerin brazilian, Sylvinho, i cili do të përgatisë skuadrën para se të nisë Kampionati Evropian./UBTNews/