UBT News

Mërgata i bashkohet protestave në Shqipëri, vazhdojnë për të 21-ën ditë

Protestat që po zhvillohen prej 21 ditësh në Shqipëri kanë tërhequr edhe pjesëmarrjen e mërgatës shqiptare. Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, përfshirë Euronews Albania, protestës së së shtunës i janë bashkuar qytetarë të ardhur nga Anglia, Franca, Gjermania dhe Austria.

“Rama në burg, Berisha në burg” ka qenë thirrja kryesore e protestuesve, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe pas mesnate.

Protestat në Tiranë nisën si reagim ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa për më shumë transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim ndaj politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Projekti turistik në Zvërnec është lidhur publikisht me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, duke u bërë një nga çështjet më të debatuara të protestave.

Ndërkohë, kryeministri Rama deklaroi të shtunën se kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec po ndikohen nga aktorë ndërkombëtarë dhe “mercenarë digjitalë”. Ai përmendi edhe pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke thënë se reagimet lidhen më shumë me emrat e Jared Kushnerit dhe Donald Trumpit sesa me shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit. /E.A/

Exit mobile version