UBT News

Më shumë qira, më pak kursime: Albin Kurti deklaron bilancin e tij “modest”

Bazuar në të dhënat e fundit të pasurisë për vitin 2026, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar ndryshime në bilancin e tij financiar, ku spikat rritja e kostos së banimit dhe rënia e dukshme e kursimeve personale.

Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se qiraja mujore për banesën ku qëndron është rritur nga 250 në 350 euro. Ndryshim drastik vërehet te paratë e gatshme; ndërsa vitin e kaluar ai kishte 1,800 euro kursime, këtë vit ka deklaruar se në llogarinë e tij rrjedhëse në një nga bankat e Kosovës posedon vetëm 16 euro e 41 centë.

Edhe në këtë raport, Kurti nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emër të tij. Pasuria kryesore e familjes mbetet banesa e bashkëshortes në Norvegji, me vlerë 530 mijë euro dhe sipërfaqe 67.00 m². Familja ka një kredi aktive në një bankë norvegjeze, ku nga shuma fillestare prej 270 mijë eurosh, mbeten për t’u shlyer edhe 160 mijë euro, me një afat deri në vitin 2052.

Sa i përket pagave, ekziston një diferencë e ndjeshme mes të hyrave të çiftit. Albin Kurti ka arkëtuar 21,315.76 euro neto në vit nga buxheti i shtetit dhe ka specifikuar se nuk përfiton asnjë lloj kompensimi tjetër. Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, përmes angazhimit në institutin norvegjez “NUPI”, ka siguruar të hyra vjetore prej 51 mijë eurosh.

Në llogaritë rrjedhëse në Oslo, bashkëshortja e kryeministrit mban 21,500 euro, ku përfshihen edhe kursimet e vajzës së tyre. Në fund të deklarimit, kryeministri ka rikonfirmuar se nuk zotëron automjet, aksione në biznese apo asete në kriptovaluta.

 

 

Exit mobile version