UBT News

Mbyllet qumështorja “Vita” pas inspektimit të AUV-së

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në qumështoren “Vita”, gjatë të cilit janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, si dhe është verifikuar dokumentacioni, objekti dhe linjat e prodhimit.

Sipas AUV-së, gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia bëri të ditur se subjekti ushtron veprimtari për përpunimin e qumështit në bazë të autorizimit përkatës, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me bazë qumështi, qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse, për të cilat nuk posedon autorizimin e nevojshëm.

Megjithatë, AUV theksoi se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit, duke sqaruar se inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultatet laboratorike.

Pas inspektimit, qumështorja “Vita” njoftoi se do ta ndërpresë punën për shtatë ditë.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Artan Spahia, deklaroi para mediave se fabrika nuk do të punojë deri në daljen e rezultateve dhe vendimit përfundimtar nga autoritetet.

“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje, por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja ‘VITA’ nuk punon dhe nuk pranon qumësht”, tha Spahia.

Më pas, në një adresim para punëtorëve, ai kritikoi ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke pretenduar se veprimet e tij favorizojnë importin e qumështit.

“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë dhe nuk kemi me u dorëzu”, u shpreh ai.

Spahia u premtoi gjithashtu punëtorëve se kompania do të vazhdojë aktivitetin në sektorë të tjerë dhe se pagat e tyre do të ekzekutohen pavarësisht pezullimit të përkohshëm të prodhimit.

Gjatë ditës, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, njoftoi se 25 inspektorë ishin dërguar për një kontroll të paparalajmëruar në qumështoren “Vita”, ndërsa AUV ka bërë të ditur se procedurat administrative dhe çdo masë e mundshme do të varen nga rezultatet e analizave laboratorike.

/A.K/

Exit mobile version