UBT News

Mbrëmje e dhunshme në Tiranë para finales së Conference League, Policia bën bilancin

Policia e Shqipërisë ka bërë bilancin paraprak të mbrëmjes së dhunshme në Tiranë, ku një grup tifozësh të Feyenoord kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania” dhe sipas informacioneve tentonin të përplaseshin me një grup tifozësh të Romës.

“Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.

Policia e Shtetit bën thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, për të parandaluar shkatërrimin e pronës si dhe për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv që do të zhvillohet në “Air Albania”. Dhe për këtë ka marrë të gjitha masat që parashikon ligji.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të mos provokohen nga individë apo grupe tifozësh që mund të jenë nën efektin e alkoolit dhe të njoftojnë menjëherë në 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo tentativë të prishjes së rendit dhe sigurisë”, njoftoi Policia./A2

Exit mobile version