Muzetë e qytetit të Beratit u vizituan nga 16 274 vizitorë në periudhën janar-shtator të këtij viti.
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se, “muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj, me vlerat e koleksioneve të tyre”.
“Qendrën Muzeore Berat e vizituan nga 16 274 vizitorë vendas dhe të huaj, ku numri më i lartë u shënua kryesisht gjatë periudhës së sezonit të verës”, tha Polovina.
Sipas tij, nga këta rreth 11 000 vizitorë të huaj dhe rreth 5 000 vizitorë vendas.
Polovina bën të ditur se “në muajt gusht dhe shtator muzetë e QMB kanë pasur 8 740 vizitorë, janë muajt në të cilët kemi pasur nivelin më të lartë të vizitueshmërisë”.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.
Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.