Numri i bizneseve u rrit gjatë tetëmujorit të këtij viti në Shqipëri. Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në gusht të vitit 2022 numërohen 126 mijë e 111 biznese aktive në vend, me një rritje prej 4.9 % me gushtin e vitit 2021 ose 5 mijë e 940 më shumë.
Krahasuar me fundin e vitit 2021, numri i bizneseve shënoi rritje prej 10.2 %.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur një ditë më parë, gjatë një analize lidhur me situatën ekonomike në vend, se treguesit e tërthortë tregojnë se ambienti ekonomik i vendit është karakterizuar nga një ambient stimulues për biznesin.
“Pritshmëria e ecurisë pozitive në tremujorin e tretë lidhet gjithashtu me numrin e bizneseve të regjistruara në muajin gusht sipas QKB, që është 126 mijë e 111 biznese. Ky stok është më i lartë në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë gusht 2021, rreth 4.9% ose 5 mijë e 940 biznese më shumë. Ndërkohë në nivel biznesesh të reja të regjistruara gjatë këtij viti ne kemi një rritje me 10.2% dhe gjithashtu kemi një rënie të bizneseve të pezulluara dhe çregjistruara me 7.6%”, tha Ibrahimaj.