UBT News

Mbi 10 mijë vizitorë në natën e parë të Festës së Birrës në Korçë

Edicioni i 20-të i Festës së Birrës ka nisur në hapësirën e re të Polit të Eventeve në Drenovë, duke mbledhur mbi 10 mijë vizitorë në natën e parë.

Më 12 gusht, arena e re u mbush me qytetarë, turistë dhe vizitorë nga vende të ndryshme, ndërsa festa solli muzikë, gastronomi, birrë dhe argëtim.

Kryeministri shqiptar Edi Rama publikoi pamje nga nata e parë, duke theksuar pjesëmarrjen e lartë dhe potencialin e hapësirës së re për organizimin e eventeve të mëdha.

Sipas tij, numri i sipërmarrjeve të përfshira në këtë edicion është trefishuar krahasuar me vitin e kaluar.

Zhvendosja në Polin e Eventeve në Drenovë i jep festivalit një dimension të ri, pasi hapësira është konceptuar për koncerte dhe aktivitete të mëdha kombëtare e ndërkombëtare.

Për vizitorët është siguruar edhe transport falas, me autobusë që nisen çdo 15 minuta nga ish-Agjencia në Pazarin e Vjetër drejt zonës së festivalit. Arena ka rreth 1 mijë vende parkimi dhe hapësira të dedikuara për koncerte, gastronomi dhe familje.

Festa do të vijojë edhe gjatë netëve në vazhdim, ndërsa hyrja për publikun është falas./A.K/

Exit mobile version