UBT News

Marrëveshja me Anglinë, transferimi i 1500 të burgosurve, Shqipëria paguan faturën

Taksa-paguesit shqiptarë do të paguajnë koston e mbajtjes në burgjet shqiptare, të 1500 bashkëkombasve të tyre që priten të transferohet nga Anglia, në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimin, pas firmosjes së marrëveshjes dje në Londër nga ministria e drejtësisë Etilda Gjonaj.

Top Channel e ka parë këtë marrëveshje me 5 pika nga ku është rënë dakord që:

1-Mes dy vendeve të nisë në vjeshtë, transferimi më shumë të burgosur shqiptarë nga burgjet angleze për në ato shqiptare.

2-Nuk do të ketë lirim të parakohshëm pas transferimi. Të burgosurit do të vuajnë të plotë dënimin e dhënë në Angli në burgjet shqiptare.
3-Të burgosurit e transferuar i ndalohet hyrja në Britaninë e Madhe.

4-Shqipëria do të paguajë koston e strehimit të burgosurve të transferuar nga Britania e Madhe.

5-Pala britanike do të paguajë vetëm koston e sjelljes së tyre me avion.

Në terma ekonomik nga kjo marrëveshje fiton Britania e Madhe të cilës për të mbajtur 1500 të dënuarit shqiptarë në burgjet e saj çdo vit i duhet të shpenzojë mbi 78 milion stërlina.

Ndërkohë shtetit shqiptar nëse të gjithë këta të burgosur do të transferohen, çdo vit do t’i duhet të shpenzojë mbi 13 milion euro, pasi kostoja vjetore e mbajtjes të një të burgosuri në Shqipëri është mbi 9.000 euro.

Sipas statistikave të ministrisë së drejtësisë angleze, Shqipëria renditet e para ndër nacionalitetet e huaja me numrin më të madh të shtetasve të saj në burgjet e shtetit ishull të dënuar për vrasje, trafik kokaine apo edhe për ngritje të fermave të kanabisit.

Të burgosurit shqiptarë në mënyrë të shpeshtë kanë zënë faqet e para të medias angleze pasi përmes telefonave ilegal publikojnë nga qelitë e burgjeve foto në rrjetet sociale sikurse për të mbajtur lidhje me grupet kriminale.

Në një prej postimeve në Instagram, një anëtar i burgosur i grupit Hellbanianz, shkruante se në burgjet angleze nuk u mungonte asgjë përveç prostitutave.

Exit mobile version