Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka shpallur futbollistin më të dalluar të javës së 20-të në Superligë: Mario Ilievski i FC Prishtina.
Ilievski ishte protagonist absolut në ndeshjen kundër FC Llapi, ku Prishtina arriti fitore të thellë 4:1, me dy gola të shënuar nga vetë ai.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, duke e shpallur Ilievskin lojtarin më të mirë të javës.
Pas marrjes së çmimit, Ilievski u shpreh:
“Është kënaqësi të zgjidhesh lojtari më i mirë i javës. Kjo është një motiv shtesë për mua, por edhe për tërë ekipin. Pas ndeshjes me Ballkanin erdhëm të mërzitur, por penalltitë janë gjithmonë çështje fati. Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe një emër shumë i madh në të gjithë rajonin e Ballkanit, andaj do të luftojmë për kreun e tabelës, sidomos tani me trajnerin e ri, me të cilin po i përgatisim ndeshjet shumë mirë.”
Me këtë performancë, Ilievski konfirmon se është një nga lojtarët kyç të Prishtinës, dhe një faktor vendimtar në garën për kreun e Superligës.
