UBT News

Marca: Lotët e një “luftëtari” – Si e gjunjëzoi Vedat Muriqi Real Madridin dhe emocionoi botën

Gazetari i famshëm i prestigjiozes spanjolle “Marca”, i ka dedikuar një shkrim prekës sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, pas fitores dramatike të Mallorcas ndaj Real Madridit. Ai e përshkruan Muriqin jo thjesht si një futbollist, por si një njeri që triumfoi mbi dhimbjen e së shkuarës.

Fitorja e fundit e Mallorcas kundër gjigantëve të Real Madridit nuk do të mbetet në histori vetëm për pikët e arritura, por për imazhin që po bën xhiron e botës: Vedat Muriqin duke qarë mes fushës.

Sipas raportimit të Marca, sulmuesi nga Prizreni ishte heroi i mbrëmjes duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit. Por, në vend të një festimi pompoz, Muriqi u gjunjëzua në stadiumin “Son Moix” dhe shpërtheu në lot para mijëra tifozëve, duke çliruar gjithë barrën emocionale që mbante prej javësh.

Rrugëtimi mes sakrificave: Nga lufta në Prizren në majat e La Ligës

Gazetari i “Marca” ka gërmuar thellë në jetën e sulmuesit, duke kujtuar se forca e tij vjen nga një fëmijëri e kaluar mes tmerreve të luftës në Kosovë. Ai përshkruan se si Muriqi njohu urinë që në moshën 5-vjeçare dhe u detyrua të linte shkollën që në moshën 15-vjeçare për të punuar, me qëllimin e vetëm për të ndihmuar familjen dhe për të ndjekur ëndrrën e futbollit.

Ky karakter “luftëtari” u vërtetua edhe nga trajneri i tij, Demichelis:

“Muriqi po vuan, por ai është një luftëtar. Historia e tij tregon se ai di si t’i përballojë vështirësitë. Edhe pas gabimeve si ajo penallti ndaj Elches, ai gjeti forcën të ngrihej dhe të bënte këtë performancë të jashtëzakonshme.”

“Edhe unë jam njeri”

Për Muriqin, ky gol ishte një hakmarrje ndaj fatit pas një periudhe të errët, ku humbja e penalltisë me ekipin dhe dështimi i kualifikimit të Kosovës në Botëror e kishin rënduar psikologjikisht.

Pas ndeshjes, ai dha një deklaratë që i preku të gjithë: “Edhe pse nga jashtë mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar, unë jam gjithashtu njeri. Ndonjëherë emocionet dhe nervat më mposhtin.”

Me këtë fitore, Mallorca jo vetëm që u largua nga fundi i tabelës, por gjeti te Muriqi simbolin e shpresës për mbijetesë. Siç e mbyll artikullin gazetari i “Marca”, lotët e Muriqit janë prova se pas çdo luftëtari të madh, fshihet një zemër e ndjeshme që di të triumfojë mbi çdo pengesë.

Exit mobile version