UBT News

Maqedonia e Veriut: Ligji për qeverinë teknike përplas partitë

Mazhoranca në Maqedoninë e Veriut ka refuzuar propozimin e opozitës për heqjen e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Ligji aktual parashikon që para zgjedhjeve kryeministri jep dorëheqje dhe i hapë rrugën krijimit të qeverisë teknike.

Në Qeverinë teknike opozitës i takojnë Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, si dhe 3 zëvendës ministra me të drejtë vetoje.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE vendosi të heq dorë nga këto privilegje, duke e konsideruar modelin jofunksional.

“Besojmë se ky model do të duhej të tërhiqet, për një arsye, sepse jo-funksionalitetin e kësaj zgjidhjeje ligjore e kemi pasur mundësinë ta shohim në disa raste”, tha Nikolla Miceski nga VMRO-DPMNE.

Megjithatë vetëm 32 deputetë të VMRO-DPMNE-së e përkrahën heqjen e Qeverisë teknike, ndërsa 55 deputetë të shumicës parlamentare votuan kundër.

Konsensus mes partive

Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se ndryshimet e tilla mund të bëhen vetëm me konsensus mes të gjitha partive politike.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Foto: Kosovapress

“Ai ligj ka ardhur në formë konensuale dhe në mënyrë konsensuale duhet të dorëzohet në Kuvend, atëherë kur do ta nënshkruajnë koordinatorët e grupeve më të mëdha parlamentare”, tha Xhaferi.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski e ka quajtur veprim frikacakësh refuzimin e këtyre ndryshimeve nga pushteti. Sipas tij madje partitë e pushtetit po shkelin edhe marrëveshjen që kishin për heqjen e Qeverisë teknike.

“Kishim marrëveshje, por siç ndodh zakonisht, aq vlen marrëveshja. Ky është mentaliteti i këtyre njerëzve. Jepet dora, flitet një gjë në tavolinë, pastaj më vonë flitet gjë tjetër. Më vjen keq që edhe Kovaçevski vazhdon të sillet siç sillej mentori i tij”, u shpreh Mickoski.

Ligji për Qeverinë teknike u dakordua në bisedimet politike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në vitin 2016, si rezultat i krizës politike pas publikimit të përgjimeve për Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Ky model u praktikua dy herë, një herë para zgjedhjeve të vitit 2016 kur Nikolla Gruevski u tërhoq nga detyra e kryeministrit para zgjedhjeve. Një herë tjetër në zgjedhjet e vitit 2020 kur Zoran Zaev i la postin bashkë partiakut Oliver Spasovski.

Exit mobile version