UBT News

Maqedonci: Raketat kineze, kërcënim i Serbisë ndaj fqinjëve

Blerja e fundit e raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina ka nxitur reagimin e Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se ky armatim shërben për mbrojtje, duke i cilësuar lëvizjet e Beogradit si një shpërfaqje të hapur të tendencave hegjemoniste ndaj vendeve fqinje.

Sipas ministrit, asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur qëllime agresive, ndërkohë që është vetë Serbia ajo që mban pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai vuri në dukje se furnizimi me sisteme raketore kundër-ajrore si FK3, HQ-17 dhe radarë të ndryshëm nga Kina është vazhdimësi e politikës së Aleksandar Vuçiqit për të sfiduar sigurinë në rajon përmes bashkëpunimit me vende joanëtare të NATO-s.

“Blerjet nga Rusia dhe Kina janë bërë që disa vite dhe vazhdojnë të bëhen, pra nuk lidhet me ndonjë kërcënim aktual për Serbinë…asnjë shtet fqinj i Serbisë në asnjë rast nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues në raport me Serbinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se këto raketa “tmerrësisht të shtrenjta” janë integruar me sukses në avionët ushtarakë rusë MiG-29. Ai e arsyetoi këtë blerje si një përgatitje ndaj asaj që ai e quajti “aleanca e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, duke iu referuar deklaratës për bashkëpunim në mbrojtje që këto tri vende nënshkruan në mars të vitit 2025.

Lajmi për armatimin e ri ka alarmuar edhe fqinjët e tjerë. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se do ta adresojë këtë çështje direkt në strukturat e NATO-s. Ndërkohë, të dhënat e fundit nga instituti SIPRI konfirmojnë se Kina është bërë partneri kryesor ushtarak i Serbisë, duke mbuluar 57% të importeve të armëve, e ndjekur nga Rusia me 20%. /REL/

 

 

Exit mobile version