UBT News

Manastirliu: Varianti Delta më i transmetueshëm, thelbësore vaksinimi e respektimi i masave

Rreth 70.000 vaksinime u kryen gjatë javës së hapur për qytetarët +18 vjeç, duke e çuar në 1,138,771 vaksinime  që prej fillimit të këtij procesi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dukë publikuar shifrat e të vaksinuarve gjatë kësaj jave, ka shprehur mirënjohje për vaksinatorët të cilët nuk e kanë ndalur punën në asnjë moment.

Gjithashtu, ministrja thekson se varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm ndërsa apelon që qytetarët të vaksinohen.

“Mirënjohje për vaksinatorët tanë që nuk e kanë ndalur punën për asnjë moment, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj vaksinimi dhe respektimi i masave antiCOVID, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit”, shprehet Manastirliu.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se në vendin tonë qarkullon varianti Delta i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin që përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Nisur nga konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Exit mobile version